Në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes sipas ndryshimeve ligjore (VKM nr. 327/2021) mblodha sot Komitetin Drejtues të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit (MKR).
Ndër të tjera, gjatë këtij takimi miratuam protokollet përkatëse për manaxhimin e rasteve të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore si dhe kërkova angazhim maksimal nga çdo aktor vendor për adresimin e këtyre rasteve.
Mirënjohje për UNDP Albania që në kuadër të programit “Fuqizojmë Komunitetin” me financim nga USAID, mbështet mirëfunksionimin e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit.
Në ambjentet e bashkisë Kurbin, bashkë me zv. ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Denada Seferi, zv. Shefen në detyrë e Misionit të SHBA dhe Këshilltare e Lartë për Zhvillim (USAID), znj. Mischere Kawas, Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP Albania, znj. Monica Merino, zhvilluam një takim sensibilizues për parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Më pas një vizitë në qendrën sociale “Fuqizojmë Komunitetin”, hapur pak kohë më parë dhe e para e këtij lloji në Kurbin.
Ditën e Pastrimit të Lumenjve në Kurbin Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri hapi fushatën e Rrugëtimit të Gjelbër në Kurbin. Kjo fushatë u çel me luginën e lumit Mat, ku me kontributin e ekipit #Evropa, studentë, shoqërinë civile dhe stafin e bashkisë pastruam sasi të konsiderueshme mbetjesh. Një grup prej 100 vetësh mblodhi thuajse 1 ton mbetje urbane të cilat tani janë larguar nga brigjet e këtij lumi. Sfida të rëndësishme janë përpara dhe roli i secilit prej nesh si komunitet është mjaft i rëndësishëm në ruajtjen e burimeve natyrore dhe biodiversitetit. Kjo nismë përkon edhe me 18 nëntorin, Ditën e Pastrimit të Lumenjve. Më pas Ekipi #Europa u ndal në Bashkinë Kurbin ku diskutuam rreth “Ndërtimit të një të ardhmeje të qëndrueshme mjedisore”. Eksploruam pasojat e gjera të ndotjes në ekosistemet dhe shëndetin e njeriut, duke hedhur dritë mbi rolet vendimtare të individëve, bizneseve dhe qeverive në trajtimin e kësaj çështjeje urgjente. Kryetarja e Bashkisë, Zj Cara, theksoi se Kurbini ka një ekosistem shumë të larmishëm, me lumenjtë, lagunën, bregdetin, malet e bekuara, por përballet më një sfidë të madhe duke qenë një nyjë tejet e rëndësishme transporti”. Të gjithë ramë dakort se rivendosja e biodiversitetit, mbrojtja e burimeve natyrore dhe fuqizimi i qytetarëve janë thelbësore për Bashkimit Evropian por edhe në krye të axhendës së Bashkisë Kurbin. “Evropa është këtu për të nxitur bisedimet për ta sjellë Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane në Shqipëri”, tha i Ngarkuari me Punë i BE-së në Shqipëri, André Rizzo. Aktivitetet e kësaj ditë u përmbyllën me një koncert të hapur për publikun në sheshin “Gjin Pjetri” në Laç.
Për 3 ditë rresht, me 17, 18 dhe 19 Nëntor 2023, sheshi “Gjin Pjetri” u kthye në arenën kryesore të bilardos në Shqipëri, duke dhuruar ndeshje të bukura dhe emocionet që ky sport përcjell. Ky aktivitet u organizua nga Bashkia Kurbin dhe Federata Shqiptare e Bilardos & Snookerit. Ky aktivitet vjen në qytetin tonë pas sukseseve të djemve kurbinas që janë shpallur kampionë të bilardos dhe mjeshtra të niveleve të larta të këtij sporti edhe në skenat ndërkomëbtare, duke e kthyer qytetin tonë në qendrën e bilardos prej shumë vitesh tashmë. Për tre ditë pjesëmarrësit në këtë kompeticion dhuruan emocione, stil e fair play, dhe padyshim bashkëqytetarët kurbinas treguan qytetari e mikpritje ndaj sportistëve të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë e jo vetëm. Kampioni i “STEKA E ARTË 2023” u shpall Eklent Kaçi pas finales shumë të veçantë ndërmjet vëllezërve Kaçi, ku Eklenti arriti të mposhtë Kledion e “vogël” që po rritet përditë.